Sikur të mos mjaftonin problemet e hetimeve për trupimin e ndeshjeve, futbolli italian është përfshirë në një skandal edhe më të madh, pasi është zbuluar se menaxherët më të famshëm të futbollistëve, në bashkëpunim me klubet, kanë bërë evazion fiskal.
Në një kohë kur Italia po kalon një krizë të rëndë ekonomike, futbolli merr në goditje shumë të rëndë pas publikimit të këtij hetimi, pasi ky sport kaq i ndjekur jep shembullin negativ se si duhet të veprojnë qytetarët italianë.
Prokuroria e Piaçencës ka hapur një çështje ku deri tani janë 21 persona të pandehur, mes të cilëve emrat më të njohur të menaxherëve italianë. Sipas burimeve pranë kësaj Prokurorie, sistemi që aplikohet në vazhdimësi në klube të ndryshme, është që pagesat për menaxherët përfshihen në bilancet e klubeve, në mënyrë që të mos paguhet TVSH. Klaudio Paskualin, Silvano Martina, Xhuzepe Damiani, Tulio Tinti, Alesandro Moxhi dhe Xhovani Brankini janë disa prej emrave të përfshirë, pak a shumë të gjithë menaxherët që kontrollojnë futbollin italian dhe një pjesë të rëndësishme të futbollit evropian.
Sipas Prokurorisë së Piaçencës, këta persona, kanë bërë mashtrim financiar prej dhjetëra milionë eurosh në vite, që pasqyrohen qartësisht në bilancet e klubeve. Të gjitha pagesat shënoheshin si “të drejta shumëvjeçare të futbollistëve” duke dalë nga arkat e klubit e si rrjedhojë menaxherët merrnin paratë nëpërmjet futbollistëve të tyre.
Skandali bëhet edhe më i madh për faktin se Federata Italiane e Futbollit ka qenë në dijeni të kësaj çështje prej muajsh, por në vend që të dilte hapur kundër këtij abuzimi, ka negociuar me zyrën e taksave në mënyrë që kjo çështje të mos bëhej publike. (LajmeShqip.com)
Friday, 20 April 2012 11:20