Skënderbeu dhe Tirana do të vihen përsëri përballë njëri-tjetrit për të luajtur mes tyre trofeun e radhës, Kupën e Shqipërisë. Dy skuadrat që e kanë filluar sezonin duke luajtur në Superkupën e Shqipërisë, kanë kaluar në finalen e aktivitetit pasi kanë mundur respektivisht Kastriotin dhe Flamurtarin në gjysmëfinalet e këtij edicioni që për herë të parë ka parë një format më të ndryshëm me sistem grupi.
Skënderbeu, pasi ka fituar 3-1 ndeshjen e parë në Korçë, ka arritur të mbrojë këtë rezultat në ndeshjen e kthimit që është luajtur në Krujë pa praninë e tifozëve për shkak të ndëshkimit të ekipit krutan nga Komisioni i Disiplinës. Ndonëse Kastrioti kishte mundësi reale për të kaluar turin, vendasit kanë bërë shumë pak për të kërkuar golin në këtë sfidë duke mos rrezikuar thuajse asnjëherë me seriozitetin e duhur portën kundërshtare. Si përfundim, rezultatin 0-0 kënaq korçarët të cilët arrijnë në finalen e këtij turneu që për ta ishte objektiv në fillimin e sezonit.
Ndërkohë, ndeshja tjetër është mbyllur shumë shpejt, pasi Tirana kishte një avantazh të ndjeshëm pas fitores 3-0 në Vlorë përballë Flamurtarit në sfidën e parë. Si për të treguar që kualifikimi është i mbyllur, bardheblutë gjejnë edhe golin e avantazhit me Çikalleshin që në minutën e 6-të dhe mbyllin praktikisht historinë me vlonjatët. Kjo bën që takimi të kthehet në një miqësore testuese mes dy skuadrave, ku Tirana gjen rrugën e rrjetës edhe me Ferrajn, ndërsa Pejiç e Pezo shënojnë për vlonjatët për ta mbyllur ndeshjen 2-2.
Si rrjedhojë, me 17 maj do të jenë Skënderbeu dhe Tirana që do të diskutojnë fitoren e trofeut të dytë për nga rëndësia në Shqipëri, duke rinovuar një rivalitet që pritet të zgjatë edhe në sezonet e ardhshme. (LajmeShqip.com)
Wednesday, 18 April 2012 18:23