Devid Bekam vazhdon të mbajë gjallë shpresën për të përfaqësuar Britaninë e Madhe në Lojërat Olimpike Londër 2012 pasi figuron në listën e trajnert Stjuart Pirs. Ky i fundit kishte hartuar një listë fillestare prej 191 emrash, ndërsa e ka shkurtuar atë në 80 lojtarë dhe pas 6 javësh do të marrë vendimin e tij për 18 të fundit.
Por Bekam nuk është futbollisti i vetëm i famshëm britanik që mund të marrë pjesë në aktivitetin që zhvillohet gjatë verës së këtj viti. Përkrah tij mund të jenë emra të tjerë të njohur, duke filluar nga një ish-koleg i tij në përfaqësuesen angleze, Xho Kol. Ky i fundit, është kthyer në formën e tij më të mirë duke u aktivizuar me skuadrën e Lilës në kampionatin francez, ndërsa shpreson që të përjetojë një verë si protagonist ashtu si në kohët e tij më të mira.
Në listë janë edhe dy futbollistët uellsianë, Garet Bejl dhe Kreig Belami, ashtu si edhe skocezi Stiven Fleçer dhe irlandezo-veriori Kris Brant.
Mediat angleze spekulojnë se grumbullimi i Bekam është krejtësisht çështje publiciteti, pasi organizatorët mendojnë se prania e tij do të sjellë një shitje më të shpejtë të 1.5 milionë biletave që janë për aktivitetin futbollistik.
Ndërsa prania e Bejl dhe Bellami do të ndihmojë të mbushet stadiumi “Milenium” i Kardif, ku kombëtarja e Britanisë së Madhe do të zhvillojë një nga ndeshjet e saj në grup, ndonëse Federata e Futbollit e Uellsit ka kundërshtuar ashpër pjesëmarrjen e lojtarëve të saj në një kombëtare të “përzier”. (LajmeShqip.com)
Wednesday, 18 April 2012 08:04