Mario Baloteli ka premtuar se do të përmirësojë disiplinën e tij dhe të tregojë se ka një të ardhme te Mançester Siti. Për të bërë një gjë të tillë, ai po merr leksione nga një burim aspak i zakontë: Karlos Tevez.
Argjentinasi kaloi pjesën më të madhe të sezonit në eksod në Argjentinë pas një zënke me trajnerin Mançini, duke kërkuar edhe transferimin në janar, po është kthyer muajin e fundit në skuadër për të ndihmuar Sitin të luftojë për titullin kampion.
“Pika ime e referimit është Tevez”, ishin fjalët e Balotelit për “Gazzetta dello Sport”. “Kur erdha këtu, stërvitja ishte një tip argëtimi. Por tani po mësoj prej tij si të jap maksimumin çdo ditë”.
Pas largimit me karton të kuq ndaj Arsenalit, sulmuesi italian ka pranuar se është bërë më i ndjeshëm ndaj skuadrës dhe sidomos trajnerit Mançini të cilin e vlerëson mes më të mirëve në botë.
“Pas kartonit të kuq me Arsenalin unë kuptova sa e rëndësishme ishte të shqetësohesha për shokët e skuadrës, nuk duhet t’i lija me 10 vetë në fushë. Duhet të përmirësohem në fushë kryesisht nga ana e sjelljes. Jam me fat që punoj me Mançinin, një nga trajnerët më të mirë në botë, ndoshta më i miri”.
Më pas, ai ka hedhur poshtë të gjitha zërat për një kthim në Itali. “Kush e fiton derbin e Milanos? Përse më pyetni gjithmonë për Milanin dhe Interin? Jam lojtar i Sitit dhe nuk kam ndërmend të ndërroj fanellë”. (LajmeShqip.com)
Tuesday, 17 April 2012 17:16