Futbollist 17 vjeçar kosovar, Sinan Bytyqi, ka realizuar ëndrrën e tij duke firmosur një kontratë me gjigandët e Mançester Sitit. Futbollisti që aktivizohet me ekipet e moshave të përfaqësueses austriake të futbollit, tashmë do të luajë me ekipin e rezervave të klubit anglez, me shpresën që një ditë të kalojë në radhët e ekipit të parë.
Pasi ka parë kosovarin Frederik Veseli të kalojë nga radhët e ekipit të tyre te Mançester Junajtid në merkaton e janarit, drejtuesit e Mançester Sitit kanë hedhur sytë drejt këtij talenti tjetër kosovar. Bytyqi, me origjinë nga Prizreni kishte shkëlqyer me ekipet e moshave të Admira Vaker në Austri dhe skautët e klubit anglez në këtë kampionat ia kanë sinjalizuar atë menjëherë drejtuesve të skuadrës.
Që në fundin e vitit të kaluar, Bytyqi ka qenë në Angli ku ka kryer testime me këtë skuadër e për më tepër, ka zhvilluar dhe disa ndeshje miqësore kombëtare dhe ndërkombëtare me fanellën e Sitit. Pasi ka bindur plotësisht me lojën e tij, drejtuesit e klubit anglez kanë vendosur që t’i bëjë mesfushorit me tipare sulmuese një kontratë, të cilën do ta përmirësojnë vitin e ardhshëm kur ai të mbushë 18 vjeç dhe të mund të nënshkruajë një kontratë profesionisti. (LajmeShqip.com)
Tuesday, 17 April 2012 12:03