Transferimi i çuditshëm i sulmuesit të panjohur Bebe nga Mançester Junajtid për 7.5 milion paund, ka përfunduar nën hetimet e policisë portugeze e cila po kërkon 3 milion paund që janë zhdukur.
Vendimi i Mançester Junajtid për të paguar kaq shumë para për një lojtar të panjohur hodhi shumë dyshime kur klubi anglez zyrtarizoi akordin për blerjen e tij nga Vitoria Gimaraesh në gushtin e vitit 2010. Vetëm 20 vjeçar në atë periudhë, Bebe luajti tre ndeshje me fanellën e Junajtid, asnjë në kampionat, para se të huazohej te Beshiktashi në Turqi gjatë verës së kaluar. Gjatë qëndrimit në Angli, dukej qartë se a nuk kishte aspak lidhje me nivelin e futbollit te klubi që e kishte blerë.
Tani ka dalë në skenë fakti se policia portugeze po heton këtë marrëveshje për të gjetur se ku kanë përfunduar 3 milion paund dhe në lojë ka hyre departamenti antikorrupsion që ka marrë në pyetje shumë dëshmitarë.
Në këtë marrëveshje shumë t dyshimtë është përfshirë Horge Mendez, menaxheri i Kristiano Ronaldos, Murinjos e shumë yjeve të tjerë te futbollit botëror. Ai ishte menaxheri që bëri të mundur transferimin e portugezit në Angli, ndërsa klubi i Vitoria Gimaraesh ka bërë të ditur se këto 3milion euro i përkitnin atij si shpërblim dhe zhdukja e tyre mund të jetë bërë për të shmangur pagimin e taksave.
Ndërkohë, transferimi i Bebe bëhet edhe më i dyshimtë pasi është mësuar se lojtari luante për klubin e kategorisë së dytë Estreja de Amadora dhe jetonte në një qendër për të pastrehë vetëm dy javë para se të transferohej te Mançester Junajtid dhe të merrte një rrogë prej 15 mijë eurosh në muaj. Sër Aleks Ferguson, asokohe raportoi se këtë lojtar ia kishte këshilluar Karlos Keiroz, një tjetër trajner që menaxhohet nga Mendez, i cili e kishte parë atë të shënonte 40 gola në një turne lagjesh. (LajmeShqip.com)
Saturday, 14 April 2012 11:34