Zyrtarët e lartë të Komitetit Olimpik Britanik po marrin masa të rrepta sigurie gjatë Londër 2012 për të ndaluar tre persona me “rrezikshmëri të lartë”, të cilët zakonisht shqetësojnë zhvillimin normal të aktiviteteve sportive nëpërmjet rrengjeve të tyre.
Nga pozimi me skuadrën e Mançester Junajtid në një ndeshje të Ligës së Kampioneve e deri te ngjitja në podiumin e Çmimit të Madh të Silverston në Formula 1, Karl Pauer, Tomi Dan dhe djali i tij Tomi Jr kanë fituar famë pasi kanë realizuar disa nga rrengjet më historike të sportit në disa prej aktiviteteve më të famshme.
Kjo është arsyeja pse drejtuesit e Komitetit Olimpik Britanik duan të evitojnë skena që do t’i turpëronin në sytë e të gjithë botës. Sipas burimeve pranë komitetit organizator, po merren masa të veçanta për këto tre persona të cilët gjejnë gjithmonë mënyrën për t’iu shmangur kontrolleve dhe për t’u bërë protagonistë.
Shpikja e parë e Pauer ishte kur në vitin 2001 u fut në fushë dhe bëri fotografinë zyrtare me Mançester Junajtid para ndeshjes së Ligës së Kampioneve kundër Bajern Mynih. Disa muaj më vonë, ai hyri në fushë i veshur si një lojtar kriketi gjatë ndeshjes shumë të rëndësishme mes Anglisë dhe Australisë, ndërsa e ndaluan vetëm kur vendosi të hiqte helmetën dhe të bënte një telefonatë me celular.
Në vitin 2002, në bashkëpunim me Dan, ai çuditi të gjithë në Çmimin e Madh të Formula 1 në Silverston duke u ngjitur ne podium i veshur si pilot, pak sekonda para se Mikael Shumaher të merrte trofeun.
Më pas, ata u futen në turneun e tenisit në Uimbëlldon, duke luajtur një ndeshje mes tyre në fushë, ndërsa stadiumi ishte i mbushur me spektatorë.
Kjo treshe “e frikshme” qëndroi disa vite pushim, deri në vitin 2010, kur arritën të futeshin në hotelin e përfaqësueses angleze të futbollit dhe mashtruan Xhon Terrin. Ata e bënë mbrojtësin të firmoste një autograf për Uejn Brixh, ish-shokun e skuadrës me të dashurën e të cilit ai kishte patur një histori jashtëmartesore. (LajmeShqip.com)
Thursday, 12 April 2012 18:37