Roman Abramoviç mendon se ka ardhur koha që klubi i tij të kthehet fuqimisht në merkato, në mënyrë që Çelsi të bëhet përsëri një prej skuadrave më të frikshme në Evropë, siç ka qenë për disa vite me radhë.
Sipas “Daily Mail”, vetë pronari i ekipit londinez ka hartuar një listë të gjatë me lojtarë që mund t’i afrohen skuadrës gjatë verës dhe këtë listë do ia paraqesë për miratim trajnerit të ardhshëm par se të bëjë oferta konkrete.
Për të mos vonuar gjërat, ai ka shpërndarë skautët e klubit në të gjithë kontinentin për të gjetur lojtarët më cilësorë, të cilët do të përshtateshin shumë shpejt me mënyrën e lojës së këtij ekipi, që të mos përsëritej me historia si me Shevçenkon apo Torres.
Kjo është lista e përpiluar deri tani:
Luka Modriç (Totenhem)- rreth 40 milion paund
Çelsi u mundua ta merrte edhe në vitin e kaluar. Kroati mund të largohet nëse Totenhem nuk siguron pjesëmarrjen në Ligën e Kampioneve.
Hulk (Porto)- rreth 35 milionë paund
Sulmuesi ka një klauzolë largimi prej 100 milionë eurosh por të dy palët janë dakord për uljen e kësaj shifre në një nivel të pranueshëm.
Gonzalo Higuain (Real Madrid)- rreth 30 milion paund
Sulmuesi argjentinas ka shënuar deri tani 24 gola për ekipin e drejtuar nga Zhoze Murinjo në këtë sezon, ku ka filluar pjesën më të madhe të ndeshjeve nga stoli e rezervave.
Alvaro Pereira (Porto)- rreth 17 milionë paund
Andre Vijas Boas u mundua ta blinte që vitin e kaluar uruguaianin por pa sukses.
Mario Gëtze (Borusia Dortmund)- rreth 40 milion paund
Një prej futbollstëve më të kërkuar në Evropë. Ai sapo ka rinovuar kontratën me klubin gjerman ndaj çdo tentativë blerje do të kushtojë shumë shtrenjtë.
Cezar Azpilikueta (Lilë)- rreth 25 milionë paund
Një nga mbrojtësit e djathtë më premtues në Evropë, spanjolli shumë shpejt mund të bëhet pjesë e kombëtares iberike.
Edinson Kavani (Napoli)- rreth 35 milion paund
Zëvendësuesi më i mirë i mundshëm për Didier Drogba, fizikisht i aftë të përballojë futbollin anglez.
Eden Hazard (Lilë)- rreth 25 milion paund
Do të largohet këtë verë nga kampionati francez dhe pritet të zgjedhë një nga klubet angleze, të preferuarat e tij.
Emra të tjerë që përmenden në listën e Roman Abramoviç, alternativa të lojtarëve të mësipërm, janë sulmuesi Radamel Falkao i Atletiko Madrid, fantazisti Ezekuiel Laveci i Napolit dhe qendërmbrojtësi Jan Vertongen i Ajaksit. (LajmeShqip.com)
Thursday, 12 April 2012 13:26