Presidenti ukrainas, Viktor Janukoviç, ka urdhëruar qeverinë e tij që të ndalë rritjen e çmimeve stratosferike të hoteleve për tifozët që duan të ndjekin Euro 2012 gjatë verës në këtë vend.
Disa hotele në Ukrainë kanë rritur çmimet deri në 10 herë mbi normalen për çdo nivel dhomash gjatë ditëve në të cilat zhvillohet turneu futbollistik në këtë vend, i organizuar bashkë me Poloninë.
Janukoviç urdhëroi ministrat e ekonomisë dhe infrastrukturës të marrin masa të menjëhershme dhe të kujdesen që çmimet e hoteleve të sillen “në nivel të ulët ekonomik”, por nuk specifikoi në cilën mënyrë do të vihet në zbatim ky urdhër.
Drejtuesit e UEFA-s kanë shprehur prej kohësh shqetësime për çmimet e hoteleve, duke i quajtur pengesën kryesore për organizmin e aktivitetit. Shumë tifozë kanë vendosur të mos udhëtojnë për të ndjekur skuadrat e tyre që luajnë në Ukrainë vetëm për shkak të çmimeve të hoteleve, të cilat në disa raste kalojnë edhe ata të biletave të avionëve.
Shefi ekzekutiv i organizimit të aktiviteteve në UEFA, Devid Tejlor, ka bërë të qartë qëndrimin e institucionit që drejton futbollin në Evropë.
“Ajo që mund të bëjmë ne është të flasim me qeverinë ukrainase dhe t’i tregojmë se çfarë po ndodh. Cilat janë pasojat? Ne i kemi lajmëruar se të ardhurat në këtë vend do të jenë shumë më të ulëta sesa i parashikojnë. Nëse dëshirojnë të kenë vizitorë, duhet t’i bëhet presion hotelierëve në mënyrë që ata të vendosin çmime më realiste”. (LajmeShqip.com)
Saturday, 07 April 2012 10:20