Rezultatet në futboll vlejnë më shumë se çdo gjë tjetër. Kjo vlen edhe në Romë, ku “projekti dhe loja e bukur” e Luis Enrikës kanë kaluar në plan të dytë, në favor të një vendi të tretë që do të garantonte pjesëmarrjen në Ligën e Kampioneve.
“Të luajmë bukur? Tani është më i rëndësishëm vendi i tretë, sido që të vijë ai, edhe pse personalisht vazhdoj të besoj se rezultatet vijnë më lehtësisht duke luajtur mirë”, tha trajneri spanjoll.
Objektivi është i kuptueshëm, pasi kështu klubi mund të vazhdojë qetësisht projektin e rindërtimit duke afruar edhe emra të rëndësishëm, të cilët do të kenë mundësinë të shprehin talentin e tyre në Ligën e Kampioneve.
“Nuk e di se sa fitoren duhen për të siguruar pjesëmarrjen në Ligën e Kampioneve, por skuadra do të jetë në luftë deri në fund. Në këtë sezon kemi bërë ndeshje të bukura dhe më pas jemi mundur keq. Tani pres vetëm paraqitje të mira dhe rezultate, ndaj sfida kundër Leçes do të jetë shumë e rëndësishme”, tha Luis Enrike.
Në ndeshjen e fundjavës, për ekipin kryeqytetas do të mungojë Françesko Toti i dëmtuar, por shpresohet që në vend të tij të zbresë në fushë Miralem Pjaniç, i cili duket se është riaftësuar në kohë për këtë sfidë. (LajmeShqip.com)
Friday, 06 April 2012 16:04