Janë përcaktuar katër skuadrat gjysmëfinaliste të Europa League, ku janë ruajtur parashikimet që shihnin një gjysmëfinale tërësisht mes skuadrave të Gadishullit Iberik.
Vetëm Atletik Bilbao e kishte thuajse të sigurt kualifikimin pasi kishte fituar 4-2 në sfidën e parë ndaj Shalkes në fushën e kësaj të fundit. Por dy skuadrat kanë dhuruar spektakël edhe në ndeshjen e kthimit në Spanjë, të përfunduar me rezultatin e barabartë 2-2.
Valencia e ka patur shumë të thjeshtë të fitojë përballë AZ Alkmar, duke mundur ekipin holandez me rezultatin e thellë 4-0, pasi ishte mundur 2-1 në sfidën e parë në Holandë. Ndërkohë, Sporting Lisbona ka arritur të mbrojë një barazim 1-1 në fushën e Metalist Kharkiv, që i mundësoi kalimin në gjysmëfinale pasi kishte fituar 2-1 sfidën e parë në Portugali ndaj ukrainasve.
Ndeshja më e luftuar ka qenë padyshim ajo mes Hanover dhe Atletiko Madrid, ku skuadra vendase është munduar deri në minutat e fundit të fitojë për të bërë surprizën me të madhe të edicionit. Por një gol i të zakonshmit Falkao në minutën e 87-të, i ka dhuruar suksesin 2-1 spanjollëve që kishin fituar me këtë rezultat edhe në sfidën e parë. (LajmeShqip.com)
Rezultatet
Metalist Kharkiv-Sporting Lisbona 1-1
57′ Kristaldo / 44′ Van Volfsvinkel
Atletik Bilbao-Shalke 2-2
41′ Gomez, 55′ Susaeta / 29′ Huntelar, 52′ Raul
Valencia-AZ Alkmar 4-0
15′, 17′ Rami, 56′ Alba, 80′ Hernandez
Hanover-Atletiko Madrid 1-2
81′ Diuf / 63′ Adrian, 87′ Falkao
Gjysmëfinalet
19/04/12
Sporting Lisbona-Atletik Bilbao
Atletiko Madrid-Valencia
26/04/12
Atletik Bilbao-Sporting Lisbona
Valencia-Atletiko Madrid
Thursday, 05 April 2012 22:33