Antonio Kasano është i pandryshueshëm dhe me batutat e tij është gjithmonë protagonist. Futbollisti është kthyer në stërvitje me Milanin dhe sipas tij, mund të jetë i gatshëm për të luajtur që këtë javë, ndonëse duket e vështirë që Alegri t’i besojë atij për momentin.
“Kam patur frikë se mos vdisja. Pasi më kaloi frika e vdekjes, mendova edhe që të lija futbollin. Por tani ja kthyer dhe dua të zbres përsëri në fushë. Barcelona, Real Madrid, Murinjo, Delneri, Iniesta, e gjithë bota më ka përshëndetur ndaj i falënderoj pasi kam kuptuar se sa njerëz më duan”, ka treguar lojtari i cili pësoi një infarkt me 29 tetor.
Frika nuk i ka hequr atij sensin e humorit. Këtë rashë, ai ka komentuar ndeshjen e fundit të Milanit në Ligën e Kampioneve, duke preferuar të thumbojë në mënyrë direkte Zhoze Murinjon që ankohet gjithmonë për Barcelonën.
“Të luash kundër Mesit është e vështirë: mund të jesh Kristiano Ronaldo, Runi, Kasano apo Ibrahimoviç, por nëse Mesi është në gjendje të mirë, atëherë është shumë e vështirë. Murinjo thotë se është e vështirë t’i mundësh në shtëpi? Është e vështirë t’i mundësh sepse janë më të fortë se të tjerët, pastaj polemikat janë pjesë e kinemase që ndonjë personazh dëshiron të bëjë. Barcelona është e pathyeshme: vetëm nëse shpërthen ndonjë vullkan dhe janë të detyruar të bëjnë 40 orë rrugë me autobus, atëherë mund ti mundësh”, u shpreh ai, duke kujtuar sfidën Inter-Barcelona të dy viteve më parë që sanksionoi edhe eliminimin e skuadrës katalanase përballë zikaltërve të drejtuar pikërisht nga Murinjo.
Lojtari ka dhënë mendimin e tij edhe për luftën e titullit kampion në Itali ku rival i skuarës së tij është Juventusi. “Titullin? E fiton Milani, nuk jemi këtu për të krehur kukullat! Kanë thënë se do të na bëjnë të pështyjmë gjak, por nëse ata i fitojnë të gjitha ndeshjet dhe ne i fitojmë të gjitha ndeshjet tona, komplimente atyre por si përfundim titullin e marrim ne”. (LajmeShqip.com)
Thursday, 05 April 2012 19:52