Klubet spanjolle janë ato që kanë çmimet më të shtrenjta për ndeshjet ndërkombëtare të skuadrave të tyre. Nëse tifozët e Shalkes protestuan për çmimin 90 euro të biletës së ndeshjes kundër Atletik Bilbao, kushedi çfarë duhet të bëjnë ata të Bajern Mynih të cilët mund të paguajnë deri në 325 euro për të parë sfidën e skuadrës së zemrës përballë Real Madrid.
Dy klubet kanë publikuar sot listën e çmimeve të biletave për sfidat gjysmëfinale të Ligës së Kampioneve dhe duket qartë që në Spanjë, çmimi i biletës është sa dyfishi i asaj në Gjermani.
Vendi më i shtrenjtë është në tribunën qendrore të “Santiago Bernabeu”, në cilindo krah, ku një tifoz i thjeshtë duhet të paguajë 325 euro për të shijuar ndeshjen. Një anëtar i klubit, që ka abonimin vjetor, duhet të paguajë “vetëm” 195 euro.
Biletat më të lira në këtë impiant janë ato të anëtarëve që kushtojnë 42 euro (70 euro për publikun e thjeshtë) por kuptohet që nga brezi i katërt ku gjendet vendi, është e pamundur të shquash fytyrat e lojtarëve në fushë dhe duhet të shohësh ekranin e madh herë pas here për të kuptuar se kush gjuajti në portë.
Ndërkohë, në “Allianz Arena”, çmimet janë shumë më të favorshme për të gjithë, pasi bileta më e shtrenjtë, ajo e “Kategorisë 1”, kushton vetëm 120 euro, ndonëse impianti gjerman është shumë më komod dhe modern se “Santiago Bernabeu”. Biletat e kategorive të tjera kushtojnë nga 40-100 euro për tifozët e thjeshtë. (LajmeShqip.com)
Thursday, 05 April 2012 16:01