“Sezoni i Aleksandre Pato është mbyllur”. Këtë e ka bërë të ditur doktori i njohur belg Zhan Pierr Merseman, i cili shoqëroi lojtarin në Atlanta për t’u konsultua me mjekun e specializuar Karrik. Problemet e brazilianit nuk kanë fund dhe këtë shqetësim e tregon edhe Merseman me fjalët e tij.
Ndonëse askush nuk e pranon, dëmtimi i 14-të muskulor në pak më shumë se dy vite ka dëmtuar ndjeshëm karrierën e sulmuesit, i cili mund të përgatitet edhe për t’i dhënë lamtumirën futbollit të luajtur nëse kjo situatë absurde vazhdon.
“Si të zgjidhim problemin e brishtësisë muskulore? Ai ka qenë kudo, nga Gjermania në SHBA, shumë doktorë e kanë parë dhe e kanë kuruar. Tani i kam thënë këshilltares time shpirtërore të lutët për të”, janë fjalët e Merseman për “La Gazzetta dello Sport”, duke lënë të kuptohet se gjithçka mbetet një mister për të.
“Nuk kam mbyllur sy gjithë natën. Mbaj përgjegjësitë e mia për atë që ndodhi, edhe pse nuk e di se cilat janë. Nuk kam zgjidhur dot ne tre javë atë që nuk zgjidhet në 2 vite. Pato është deklaruar 13 herë i aftë klinikisht për të luajtur, por është e qartë që nuk është shëruar nga problemi që ka. Kur pashë në televizor atë që ndodhi, u ndjeva keq edhe unë. Nuk e prisja që të ndodhte një gjë e tillë”, ishin fjalët e kirurgut belg, i cili është një nga ekspertët më të famshëm në botë për mjekësinë sportive. (LajmeShqip.com)
Thursday, 05 April 2012 13:33