Tashmë është thuajse zyrtare, Altin Lala do të veshë fanellën e Bajern Mynih në sezonin e ardhshëm. Mesfushori shqiptar 36 vjeçar do të mbyllë sezonin me ekipin e Hanover, të cilit do t’i japë lamtumirën pas 18 vitesh, për t’iu bashkuar projektit interesant të Mehmet Sholl.
Ky i fundit, do të marrë drejtimin e skuadrës së dytë të Bajern Mynih dhe i nevojiten lojtarë me shumë eksperiencë në mënyrë që ta ndihmojnë në punën e tij me të rinjtë. Si rrjedhojë, ai i ka kërkuar ndihmë Lalës në këtë sfidë, në mënyrë që të përgatitin së bashku brezat e ardhshëm.
Lala do të firmosë një kontratë njëvjeçare, pasi fillimisht do të jetë në rolin e futbollistit në ekip, ndërsa pritet që me kalimin e kohës dhe me specializimin e duhur teknik, ai të marrë edhe licencën e trajnerit dhe të bëhet pjesë e stafit të skuadrës bavareze.
Vetë futbollisti ka shprehur prej kohësh miratimin e tij parimisht për këtë projekt, por akordi është arritur vetëm dje. “Bisedimet shkuan mirë. Kjo detyrë është mjaft tërheqëse për Altinin. Marrëveshja ka kuptim për të dy palët”, u shpreh menaxheri i Lalës, Harun Arslan.
Ky i fundit, njëkohësisht edhe menaxheri i Joakim Lëv, është ngarkuar nga mesfushori shqiptar të merret me këtë çështje, pasi vetë Lala është i impenjuar me skuadrën e Hanover në ndeshjen e Europa League dhe nuk dëshiron të shpërqendrohet në këtë moment historik për klubin ku është kthyer në një idhull të tifozerisë. (LajmeShqip.com)
Thursday, 05 April 2012 10:03