Kushdo që mendonte se LeBron Xhejms është në krizë dhe po ndikon negativisht në sezonin e Majemit, është detyruar të ndryshojë tërësisht opinion pas dy ndeshjeve të fundit. Pas 41 pikëve të shënuara kundër Filadelfias, ylli i Majemit shënoi 34 pikë (plus 10 pasime, 7 topa në tabelë, 4 vjedhje) kundër skuadrës që shihet si rivali direkt për titullin kampion në NBA, Oklahoma, në suksesin 98-93. Ekipi i Kevin Durant i kishte shkaktuar Majemit një humbje turpëruese me 16 pikë diferencë një javë më parë, por këtë radhë ylli i Oklahomas nuk ishe edhe aq i saktë, pasi shënoi 30 pikë, por njëkohësisht i dhuroi kundërshtarëve 9 herë topin. Dy skuadrat mund të ndeshen tashmë vetëm në finale e madhe të NBA, por kanë treguar që tani se në rast të një përballje të tillë, nuk do të kursejnë asgjë kundër njëri-tjetrit, siç treguan në këtë sfidë ku nuk munguan goditjet e parregullta nga të dy krahët.
Oklahoma tashmë nuk është më e vetme në kryesimin e Konferencës së Perëndimit, pasi është arritur atje nga San Antonio, që ka regjistruar fitoren e 9-të radhazi duke mundur 87-86 Boston në fushën e këtyre të fundit. Tim Dankan me 10 pikë e 16 topa në tabelë ishte protagonisti kryesor për teksanët pasi ai arriti që të shqetësonte Pol Pirs në gjuajtjen e sekondës së fundit që mund t’i kishte dhënë suksesin Boston. Për San Antonion, dy javët e fundit të sezonit janë mëse të ngjeshura, ku në 14 ndeshjet e mbetura do të ndeshen 3 herë me LA Leikërs.
Pikërisht kalifornianët janë skuadra nga e cila të gjithë duhet të frikësohen pasi është kthyer në një prej ekipeve më rezultative që pas blerjes së Ramon Seshions. LA Leikërs kanë fituar derbin e qytetit me LA Klipërs me rezultatin 113-108, duke u konfirmuar për momentin si forca e tretë në Konferencën e Perëndimit. Endriu Bainëm ishte protagonist me 36 pikë e 8 topa në tabelë, po aq sa Kobi Brajant i cili shënoi 31 pikë, 6 pasime e 5 topa në tabelë, por sidomos realizoi një kosh vendimtar kur kishin mbetur pak sekonda nga fundi i takimit. Për LA Klipërs nuk mjaftuan paraqitjet e Kris Pol (22 pikë, 16 pasime), Bleik Grifin (15 pikë, 14 topa në tabelë) dhe DeAndre Xhordan (11 pikë, 13 topa në tabelë), pasi ata humbën mundësinë t’i vidhnin vendin e tretë rivalëve të qytetit. (LajmeShqip.com)
Rezultatet
Toronto-Filadelfia 99-78
Indiana-Uashington 109-96
San Antonio-Boston 87-86
Sharlot-Atlanta 93-120
G. Steit-Minesota 97-94
Denver-Nju Orlins 92-94
Oklahoma-Majemi 93-98
Kliveland-Miluoki 98-107
Memfis-Dallas 85-95
Feniks-Utah 107-105
Nju Xhersi-Portland 88-101
LA Leikërs-LA Klipërs 113-108
Thursday, 05 April 2012 08:06