Bajern Mynih ka bërë të ditur nëpërmjet faqes zyrtare të internetit të klubit se ka arritur një akord me Mario Gomez për rinovimin e kontratës së sulmuesit, i cili tashmë do të qëndrojë te bavarezët deri në verën e vitit 2016.
“Kam thënë gjithmonë se Bajern është një klub i madh dhe se ndjehem shumë mirë këtu. Për këtë arsye, jam shumë i lumtur për zgjatjen e kontratës. Besoj se do të arrijmë shumë bashkë në vitet në vazhdim. Kam qëndruar se dua të kem një rol prioritar në të gjitha këto objektiva”, ishin fjalët e sulmuesit të kombëtares gjermane.
Një firmë që po pritet me ankth është ajo e mesfushori holandez Arjen Roben. Vetë Karl Hainz Rumenige ka deklaruar se palët janë shumë pranë firmosjes së akordit dhe se nuk kishte asnjë mosmarrëveshje siç ishte shkruar në shtypin sportiv gjatë ditëve të fundit.
“Jemi shumë pranë akordit, nuk ekziston mundësia për një largim apo një prishje të marrëdhënieve mes lojtarit dhe Bajern Mynih. Në të kundërt, jam i sigurt se ai do të qëndrojë me ne për një kohë të gjatë. Ka shumë objektiva që duhen arritur dhe ne do t’i arrijmë ata me këtë kampion në skuadër”, ishin fjalët e drejtuesit të Bajern. (LajmeShqip.com)
Wednesday, 04 April 2012 14:54