Pep Guardiola më në fund ka vendosur të kundërsulmojë dhe ka mbrojtur fuqimisht ekipin e tij përballë sulmeve që i janë bërë për ndihma nga gjyqtari në ndeshjen kundër Milanit.
“Kanë qenë të dyja penalltitë, në televizor duken kështu, tamam si ata të ndeshjes së parë, por ne atëherë nuk ankuam në të njëjtën mënyrë. Me sa di unë, mbajtjet në zonë ndëshkohen, nuk e di në kampionatet e tjera, por në përgjithësi ndëshkohen. Penalltia e dytë? Mua që të vogël më kanë mësuar që të mos tërheq kundërshtarin në zonë se shkaktoj penallti. Nëse ndokush dëshiron të thotë se na kanë dhuruar gjëra, është problemi i tyre, por ne nuk thamë gjë për një penallti të Sançez dhe karton të kuq të Abiatit në ndeshjen e parë”, ishte komenti i tij.
Trajneri i katalanasve ka vendosur të kundërpërgjigjet pjesërisht edhe ndaj Ibrahimoviç që kishte shprehur “solidaritet” me Murinjon përsa i përket ndihmës së gjyqtarëve ndaj Barcelonës. “Është puna e tij nëse e mendon kështu. Ndeshjen e tij e vlerëson trajneri i tij, jo unë. Unë mund të vlerësoj vetëm dy ndeshjet që ka bërë në gjysmëfinalet kundër Interit dy vite më parë”.
“Skuadra ime është përgjigjur në fushën e lojës dhe e meriton kualifikimin. Në këtë ndeshje kemi gjuajtur 21 herë në portë, ata vetëm 3. Kemi gjuajtur 35 herë në portë në dy sfidat ndaj një skuadre si Milan, që ka fituar 7 herë Ligën e Kampioneve. Njerëzit mund të thonë çfarë të duan, por kemi arritur 5 gjysmëfinale radhazi, duke luajtur me futbollistë si Kuenka i cili një vit më parë ishte në kategorinë e dytë spanjolle”, ishte komenti i Guardiolës pas përfundimit të ndeshjes. (LajmeShqip.com)
Wednesday, 04 April 2012 09:40