Barcelona kalon në gjysmëfinalen e Ligës së Kampioneve për të pestin edicion radhazi duke mundur Milanin 3-1 dhe eliminuar kuqezinjtë. Por në këtë kualifikim do të kujtohet gjatë fakti se gjyqtari holandez Kuijpers ka dhënë dy penallti për katalanasit, ku e dyta ishte për një faull që ndodh në zonë sa herë që ka goditje këndi, por që zakonisht nuk ndëshkohet.
Fillimi i ndeshjes ka qenë i tëri për katalanasit që kanë sulmuar duke kërkuar sa më shpejt një gol. Mesi humb një rast të artë që në minutat e para, kur shfaqet i vetëm para Abiatit por nuk arrin të dërgojë topin në rrjetë në mënyrë të pabesueshme. Argjentinasi shlyen gabimin në minutën e 11-të kur transformon në gol një penallti të fituar falë një ndërhyrje të parregullt në zonë ndaj tij të Antoninit.
Barça qetësohet dhe ul ritmin, por duke mbajtur gjithmonë kontrollin e lojës. Por në rastin e parë të vërtetë, Milani arrin të gjejë golin e barazimit me të zakonshmin Noçerino, që përfiton nga një pasim i Ibrahimoviç për të mposhtur Valdez dhe për të vendosur qetësinë në “Kamp Nou”.
Kjo sfidë e ethshme prishet disi nga vendimi për një penallti të dytë të akorduar nga gjyqtari Kuijpers në minutën e 40-të, për një mbajtje të Nestës ndaj Buskets, një faull që shihet me dhjetëra herë në çdo ndeshje kur ka goditje nga këndi. Pavarësisht protestave të kuqezinjve, Mesi shkon te pika e bardhë dhe mposht përsëri Abiatin, duke çuar në 14 numrin e golave të shënuar në këtë edicion të Ligës së Kampioneve.
Ëndrrat e kuqezinjve për një përmbysje shuhen praktikisht në minutën e 53-të, kur topi përfundon ë këmbët e Iniestës i cili nuk e ka problem të shënojë golin e tretë për skuadrën e tij. Që nga ai moment, ritmi i ndeshjes ulet, me katalanasit që kursejnë energji pa harruar të thumbojnë herë pas here, ndërsa duket se Milan nuk ka forcën e duhur për të reaguar më në këtë ndeshje falë edhe gjendjes jo perfekte fizike të disa lojtarëve.
Përfundon 3-1, me Barcelonën që pret tashmë të mësojë se kush mes Çelsit dhe Benfikës do të jetë kundërshtari i saj në gjysmëfinalet e Ligës së Kampioneve. (LajmeShqip.com)
Tuesday, 03 April 2012 22:23