Disa prej futbollistëve të Milanit kanë praktikuar gjuajtjet nga pika e bardhë e 11-metërshave gjatë seancës së fundit stërvitore të kësaj skuadre në “Kamp Nou”, para sfidës së kthimit për çerekfinalet e Ligës së Kampioneve përballë Barcelonës.
Një barazim pa gola mes dy ekipeve do të sillte edhe kohët shtesë e më pas penalltitë dhe meqë Milan do të përdorë strategjinë me mbrojtje dhe kundërsulm, trajneri Alegri ka vendosur të jetë i përgatitur për eventualitetin që ndeshja të vendoset prej gjuajtjeve nga pika e bardhë.
Tre lojtarët e përzgjedhur gjatë stërvitjes ishin Zlatan Ibrahimoviç, Kevin Prins Boateng dhe Robinjo, të cilët për rreth 10 minuta kanë praktikuar gjuajtjet nga pika e bardhë përballë Abiatit.
Sfida mes Milanit dhe Barcelonës pritej të kthehej në një “festival golash” për shkak të emrave të mëdhenj që kanë në përbërje dy skuadrat, sidomos sulmuesit Ibrahimoviç dhe Mesi.
Por dy skuadrat nuk arrtën të gjenin rrugën e rrjetës në ndeshjen e parë për shkak të mbrojtjeve shumë të ngjeshura. Pritet që ekipi italian të dhurojë sonte një tjetër paraqitje mbrojtëse, duke bërë të mundur që sfida të përfundojë me pak apo asnjë gol. (LajmeShqip.com)
Tuesday, 03 April 2012 10:06