Samir Ujkani do të mungojë në javët e fundit të kampionatit italian për shkak të dëmtimit të marrë gjatë ndeshjes së skuadrës së tij kundër Romës. I zëvendësuar në pushimin e ndeshjes për shkak të dhimbjeve në dorën e djathtë, portieri shqiptar ka mësuar pas analizave të kryera se ka pësuar një frakturë.
Si rrjedhojë e riaftësimit të plotë të këtij dëmtimi, Ujkani do të mungojë për 20-30 ditë në radhët e Novarës, gjë që do të penalizojë ndjeshëm ekipin që lufton për mbijetesë.
Mediat lokale kanë bërë të qartë se ky sezon mund të quhet i përfunduar për portierin shqiptar pasi nuk do të ishte as në të mirën e tij, as në atë të klubit që ai të sforcohej për t’u kthyer në fushë para kohe dhe të përkeqësonte dëmtimin.
Ujkani është titullar edhe në radhët e kombëtares shqiptare dhe shihet me mjaft perspektivë nga trajneri De Biasi i cili i beson verbërisht atij për katërkëndorin e kuqezinjve.
Por ky dëmtim mund t’i japë një shans portierëve të tjerë, duke filluar nga i riu Etrit Berisha, që të tregojnë aftësitë e tyre në ndeshet miqësore që mund të zhvillojë përfaqësuesja shqiptare futbollit në muajin maj.
Urimet e para për shërim të shpejtë, Ujkanit i kanë ardhur nga një kundërshtar i tij, mbrojtësi i Romës, Simon Kjaer, i cili e ka përshëndetur atë nëpërmjet një mesazhi në Twitter. (LajmeShqip.com)
Tuesday, 03 April 2012 09:34