Çikago është mundur në fushën e saj 99-93 nga Hjuston duke regjistruar për herë të parë në këtë sezon dy humbje radhazi. Mungesa e Derrik Rouz duket se po penalizon ndjeshëm këtë skuadër ku 3-4 lojtarë kanë mbajtur peshën e ekipit deri tani dhe po ndjejnë lodhjen e një sezoni të ngjeshur, duke mos arritur të shprehen në nivelet e kërkuara. Pas kësaj humbje, Çikago ka vënë në dyshim edhe kryesimin në Konferencën e Lindjes, ku Majemi i ndjek hap pas hapi dhe aktualisht ka vetëm një humbje më shumë se ekipi që për momentin mban edhe rekordin më të mirë në NBA.
Një rezultat surprizë ka qenë humbja në shtëpi e Oklahoma, e cila vetëm një natë më parë kishte “asfaltuar” pa probleme Çikagon. Humbja ka ardhur nga duart e Memfis ku Majo (22 pikë) dhe Randolf (10 pikë) kanë udhëhequr skuadrën ndonëse zëvendësues, për të marrë një sukses të rëndësishëm 94-88. Durant (21 pikë), Uestbruk (19 pikë) dhe Harden (14 pikë), nuk janë shfaqur në formën e tyre të zakonshme dhe kjo ka ndikuar te skuadra e cila i ka falur 18 herë topin kundërshtarëve. Edhe Oklahoma ka vënë tashmë në dyshim kryesimin e saj në Konferencën e Perëndimit, pasi ndiqet nga San Antonio me një humbje më shumë.
Një rezultat për t’u shënuar është edhe fitorja 94-75 e LA Klipërs në fushën e Dallas ku kalifornianët kanë marrë për herë të parë pas 20 vitesh fitoren e 6-të radhazi. Suksesi ka ardhur si meritë e lojës në ajër të Bleik Grifin (15 pikë, 16 topa në tabelë), por edhe e saktësisë në gjuajtjet për 3 pikë të Rendi Foje i cili ka shënuar 8 të tilla, për të mbyllur natën me 28 pikë. (LajmeShqip.com)
Rezultatet
Miluoki-Uashington 112-98
Memfis-Oklahoma 94-88
Hjuston-Çikago 99-93
LA Klipërs-Dallas 94-75
Minesota-Sakramento 108-116
Utah-Portland 102-97
Tuesday, 03 April 2012 08:03