Oklahoma ka treguar se një finale e mundshme mes tyre dhe Çikagos, pa praninë e Derrik Rouz në fushë nuk ka asnjë kuptim dhe asnjë rivalitet. Kryesuesit e Konferencës së Perëndimit kanë fituar 92-78 sfidën ndaj kryesuesve të Konferencës së Lindjes, te cilëve u mungonte pikërisht Derrik Rouz për ndeshjen e 10-të radhazi. Por suksesi i vendasve do të kishte qenë shumë më i thellë nëse trajneri i Oklahomas nuk do të kishte vendosur të linte pushim në të gjithë periodën e katërt titullarët, duke u dhënë më shumë hapësirë zëvendësuesve. Kevin Durant shënoi 26 pikë e 10 topa në tabelë në vetëm 3 pjesë loje, i ndjekur nga Rasëll Uestbruk me 27 pikë e 5 pasime në po aq minuta në fushë.
Edhe skuadra e dytë në renditjen e Konferencës së Lindjes, Majemi, nuk ka arritur të përfitojë, pasi është turpëruar në fushën e Boston me rezultatin 91-72. Edhe në këtë rast, ndeshja është vendosur që në periodën e tretë dhe titullarët e Boston i kanë bërë pushim minutat e fundit të periodës së katërt pasi kishin krijuar një avantazh aq të ndjeshëm sa ishte e pamundur për Majemin t’i arrinte. Razhon Rondo udhëhoqi skuadrën e tij me një paraqitje të jashtëzakonshme duke regjistruar 16 pikë, 11 topa në tabelë dhe 14 pasime, ndërsa të gjithë titullarët e Boston e përfunduan ndeshjen me 10 apo më shumë pikë. (LajmeShqip.com)
Rezultatet
Çikago-Oklahoma 78-92
Majemi-Boston 72-91
Denver-Orlando 104-101
Uashington-Toronto 92-99
Indiana-Hjuston 104-102
Minesota-Portland 106-119
Nju Orlins-Feniks 75-92
G. Steit-LA Leikërs 112-120
Monday, 02 April 2012 08:04