Ish-menaxheri i Alesandro Del Pieros, ka treguar se futbollisti ka hedhur poshtë oferta të rëndësishme nga Barcelona dhe Mançester Junajtid për të qëndruar te klubi bardhezi.
Kontrata e lojtarit përfundon këtë sezon dhe klubi ka bërë të qartë se nuk synon të rinovojë me 37 vjeçarin që ka thyer çdo rekord të mundshëm për këtë skuadër.
Megjithatë, Klaudio Paskualin ka treguar se besnikëria e Del Pieros ndaj klubit duhet të vlerësohet me rinovimin e kontratës së tij për një tjetër vit.
“Del Piero është Juventusi. Gjatë periudhës së artë të karrierës së tij ai refuzuar Mançester Junajtid dhe Barcelonën. Ai e bëri një gjë të tillë për shkak të dashurisë që ka për skuadrën”.
“E ardhmja e tij duhet të jetë te Juventus. Shpresoj që presidenti Anjeli të bëjë një kthesë në vendimin që ka marrë. Shpresoj që ai të luajë edhe për një sezon tjetër te Juventus dhe më pas të marrë një rol si drejtor në klub. Bardhezinjtë nuk do të ishin duke bërë ndonjë gabim nëse e mbajnë”.
“E njëjta gjë ka ndodhur edhe me Pavel Nedved. Del Piero është pjesë e historisë së Juventusit dhe kjo është arsyeja pse ai duhet të qëndrojë”, ishin fjalë e Paskualin. (LajmeShqip.com)
Saturday, 31 March 2012 10:43