Roberto Mançini ka treguar se nuk mund t’i besojë shpresat e luftës për titull të skuadrës së Mançester Sitit në duart e Mario Balotelit, ndonëse ky i fundi është sulmuesi më në formë që ka në dispozicion.
“Unë nuk kam besim te Mario, po ai është i tillë, nuk besoj se ndokush mund të ketë besim te Mario. Ai mund të shënojë lehtësisht dy gola në këtë ndeshje apo atë ndaj Arsenal, por ne nuk mund t’i besojmë atij”.
Trajneri ka shpjeguar se futbollisti është një tip i çuditshëm që alternon sjelljet në fushën e lojës. “Ai është një lojtar elite, mund të bëjë gjithçka. Ai mund të shënojë tre gola por njëkohësisht mund të ndëshkohet me karton të kuq. Është puna e tij, ai duhet të punojë, duhet të pushojë, por është ende i ri. Thjesht shpresoj që të shënojë 5-6 gola të rëndësishëm në 8 ndeshjet e mbetura”.
“Nuk mund ta marr dhe ta mbyll në shtëpi për dy ditë me radhë! Ndoshta do të vijë momenti kur ai të kuptojë se çfarë duhet të bëjë kur ka dy ditë pushim. Shpresoj që ai të rritet sepse ka nevojë të përmirësohet në sjellje të tilla”, tha Mançini duke iu referuar vizitës së Balotelit në Itali ku ky i fundit ndërpreu konferencën për shtyp të prezantimit të Andrea Stramaçioni si trajner i Interit. (LajmeShqip.com)
Saturday, 31 March 2012 09:27