Piloti i HRT në garat e Formula 1, Narain Kartikeian, i është kundërpërgjigjur Sebastian Vetel duke e cilësuar këtë të fundit si një “qaraman”. Kampioni i Botës në dy sezonet fundit, e kishte etiketuar indianin si “idiot” pas përplasjes që këta të dy patën në Çmimin e Madh të Malajzisë në fundjavë.
“Është e turpshme që një kampion të thotë gjëra të tilla”, tha 35 vjeçari Kartikeian. “Është e trishtueshme që një pilot i cili ka fituar aq shumë të shfryjë inatin te unë pasi po kalon një vit të vështirë. Njerëzit nuk presin që një sportist profesionist te jetë kaq qaraman”.
Deklarata e Vetel erdhi pasi Kartikeian ishte munduar të shpjegonte arsyen pse ishte përplasur me gjermanin dhe se nuk kishte dashur t’i pengonte rrugën.
“Është e mërzitshme të humbësh pikë në këtë mënyrë. Është si në rrugët normale, ku ka disa idiotë që ecin sa andej këndej në rrugë, e me sa duket ka një të tillë edhe këtu”, ishte komenti që bëri Vetel një ditë më parë, ndërsa gjatë garës i kishte nxjerrë gishtin e mesit pilotit indian. (LajmeShqip.com)
Friday, 30 March 2012 09:46