Ylli i Bajern Mynih, Frank Riberi, ka treguar entuziazëm për suksesin 2-0 ndaj ish-skuadrës së tij, Olimpikut të Marsejës në përballjen e çerekfinaleve të Ligës së Kampioneve.
Ekipi gjerman thuajse e ka siguruar gjysmëfinalen falë këtij triumfi të ndërtuar nga golat e Mario Gomez dhe Arjen Roben, ndonëse vendësit meritonin diçka më shumë nga kjo sfidë pasi krijuan po aq raste të rrezikshme para portës kundërshtare.
“Kjo është një situatë e mirë për ne. Rezultati është perfekt, më mirë se një barazim pa gola apo fitore 1-0. Ne luajtëm me disiplinë taktike dhe e merituam të fitonim këtë sfidë”, tha Riberi.
Për francezin, kjo ka qenë një sfidë shumë e vështirë pasi 28 vjeçari luante për herë të parë si kundërshtar ndaj ish-skuadrës së tij, Olimpikut të Marsejës, ndërsa ish-tifozët e tij e kanë vërshëllyer gjatë lojtarin pas largimit nga fusha e lojës.
“Është gjithmonë shumë e vështirë për mua kur luaj në Francë. Por unë tashmë luaj për Bajernin, që është një familje madhe. Jam këtu prej 5 vitesh dhe ndjehem mirë, gjithçka është perfekte për mua”, deklaroi Riberi për mediat gjermane pas përfundimi të ndeshjes. (LajmeShqip.com)
Thursday, 29 March 2012 10:23