Shefi i skuadrës së Ferrarit, Stefano Domenikali, ka mbrojtur pilotin brazilian Felipe Masa, ndonëse ky i fundit nuk po paraqitet në nivele të larta dhe nuk ka siguruar asnjë pikë në dy garat e para. Po ai ka kujtuar se Masa nuk regjistroi asnjë pikë në dy garat e para të vitit 2008, por pastaj luftoi për titull deri në fundin e sezonit ku triumfoi Hemilton me vetëm një pikë diferencë.
“Unë kujtoj që katër vite më parë, pikërisht pas Çmimit të Madh të Malajzisë të fituar nga Kimi Raikonen me Ferrari, Felipe ishte pak a shumë në të njëjtën situatë. Të gjithë kërkonin shkarkimin e tij por më pas ai reagoi duke fituar 2 nga 3 garat e radhës”, tregoi shefi i skuadrës, duke përsëritur besimin te piloti brazilian.
Edhe presidenti i Ferrarit, Luka Di Montezemolo, ka mbrojtur Masan, pas një vizite që ka bërë në qendrën e ekipit në Maranelo.
“Kemi besim te Felipe. Nuk është se kam parë ndonjë fenomen vërdallë… Ndaj tani duhet qetësi dhe punë”, ishin fjalët e Montezemolos, duk mbyllur për momentin diskutimin për kërkimin e ndonjë piloti të ri për të zëvendësuar pilotin aktual, i cili nuk ngjitet në podium që prej vitit 2010.
Vetë Masa ka vendosur që të mos shkojë të bëjë pushim një javë në shtëpi, por ka udhëtuar drejt Italisë. Bashkë me mekanikët, ai do të mundohet të modifikojë F2102 në mënyrë që të paktën të ketë të njëjtat paraqitje me shokun tij të skuadrës, Fernando Alonso, i cili kryeson renditjen në kampionatin për pilotë. (LajmeShqip.com)
Thursday, 29 March 2012 09:52