Nju Jork ka arritur të bëjë të lehtë një sfidë shumë të vështirë ndaj Orlandos duke triumfuar me rezultatin 108-96, për të përforcuar më tej vendin e 8-të në Konferencën e Lindjes. Ky ishte suksesi i tyre i 8-të në 10 ndeshjet e fundit, ndërsa kjo skuadër u kthye përsëri me një bilanc pozitiv këtë sezon, 26 fitore e 25 humbje. Mungesës së Stademair dhe Lin iu përgjigjën më së miri Karmelo Entoni dhe Iman Shumpert, të cilët shënuan nga 25 pikë duke treguar se përshtaten mjaft mirë me skemat e trajnerit Majk Udson.
NBA vazhdon të kryesohet nga Çikago e cila po çudit të gjithë me qëndrueshmërinë e rezultateve të saj, pavarësisht mungesës së lojtarit kryesor, Derrik Rouz. Këtë radhë, ekipi që po dominon Lindjen ka mundur Atlantan në fushën e kësaj të fundit me rezultatin 98-77, falë kontributit të Luol Deng i cili me 22 pikët e tij udhëhoqi fazën ofensive të skuadrës. Pavarësisht problemeve fizike që kanë patur dhe mungesave të rëndësishme, Çikago deri tani ka regjistruar dhe një tjetër arritje në këtë sezon, nuk ka humbur asnjëherë dy ndeshje radhazi.
Ekipi më në formë i NBA vazhdon të jetë San Antonio, që ka mundur Sakramenton me rezultatin 117-112, për të marrë fitoren e 6-të radhazi. Rotacioni i trajnerit Greg Popoviç funksionin në mënyrën më të mirë të mundshme pasi lojtarët e San Antonio nuk janë shfaqur asnjëherë në vështirësi. Ata kanë treguar se paraqiten më mirë në minutat e fundit të ndeshjeve në këtë sezon të ngjeshur që ka krijuar shumë probleme për skuadrat që kanë lojtarë me moshë mbi 30 vjeç. (LajmeShqip.com)
Rezultatet
Minesota-Sharlot 88-83
Detroit-Kliveland 87-75
Denver-Toronto 96-105
Orlando-Nju Jork 86-108
Utah-Boston 82-94
Indiana-Nju Xhersi 84-100
Çikago-Atlanta 98-77
San Antonio-Sakramento 117-112
Feniks-LA Klipërs 86-103
Nju Orlins-G. Steit 102-87
Thursday, 29 March 2012 08:03