Mesut Ozil ka treguar se kishte patur mundësinë t’i bashkohej Interit pas përfundimit të Botërorit 2010, por vendosi më pas të zgjidhte Real Madrid. Sipas “Bild”, ishte Zhoze Murinjo që e kërkoi që në vitin 2009 mesfushorin gjerman kur ai militonte në radhët e Verder Bremen, ndërsa portugezi drejtonte Interin. Zikaltërit bënë një ofertë tjetër një vit më vonë, duke ofruar 25 milionë euro për futbollistin.
Megjithatë, Ozil kishte vendosur si objektiv që të kalonte te Reali dhe për këtë arsye refuzoi zikaltërit, duke u drejtuar për në kryeqytetin spanjoll në gushtin e vitit 2010, ndërsa Verder Bremen duhej të kënaqej vetëm me 15 milionë euro.
“Është e vërtetë që në vitin 2010 kisha oferta nga klube të ndryshme të mëdha evropiane, ku përfshihet edhe Inter. Por vendimi për të shkuar te Reali ishte i saktë. Ai është klubi më i mirë në botë dhe do të dëshiroja të mbyllja këtu karrierën”.
“Jam vetëm 23 vjeç dhe do kohë derisa të arrij në maksimumin tim. Ndaj besoj se do të përmirësohem më shumë. Po përqendrohem te Reali dhe ekipi kombëtar, pasi ne mund të shkruamë historinë këtë vit”.
“Me Realin mund të fitoj kampionatin dhe Ligën e Kampioneve, ndërsa me kombëtaren kam një shans për të fituar Kampionatin Evropian në verë”, deklaroi Ozil për “Bild”. (LajmeShqip.com)
Wednesday, 28 March 2012 20:02