Radamel Falkao mund të ndjekë rrugën e Serxho Agueros dhe nga sezoni i ardhshëm të luajë përkrah tij me fanellën e Mançester Sitit. Sulmuesi kolumbian i Atletiko Madrid është gati të transferohet në radhët e skuadrës angleze dhe për këtë arsye, këta të fundit kanë kontaktuar me menaxherin e lojtarit.
Sipas “El Confidencial”, Mançester Siti është takuar që tani me prokurorin e Falkao, Horge Mendes, për të parë se si mund të realizohet transferimi i futbollistit. Anglezët janë gati të paguajnë 50 milionë euro për futbollistin, një shifër që nuk është aq e madhe edhe për faktin se lojtari u ble nga klubi i tij aktual për 40 milionë euro (plus 7 milionë euro bonus) gjatë verës së kaluar.
Falkao ka qenë padyshim protagonist në këtë sezon duke shënuar 25 gola me fanellën e Atletiko Madrid, të cilën e ka veshur në 33 ndeshje. Ndonëse ai është idhulli i tifozerisë vendase, drejtuesit e Atletikos nuk do të refuzonin një largim të tij, për sa kohë që bëhet fjalë për shifra të tilla, me të cilat mund të sigurojnë një tjetër zëvendësues, siç vepruan disa muaj më parë me Agueron.
Vetë Falkao duket se nuk është kundër transferimit te një skuadër e cila i garanton pjesëmarrjen në Ligën e Kampioneve si dhe luftën për çdo trofe të mundshëm. Te Mançester Siti ai do të zinte vendin e Tevez dhe Xheko, që pritet të largohen në merkaton e verës dhe shitja e tyre do të ndihmojë për të siguruar shumën që nevojitet për blerjen e kolumbianit. (LajmeShqip.com)
Wednesday, 28 March 2012 15:46