Çmimi i Madh i Bahreinit në Formula 1, i cili do të zhvillohet me 22 prill, vazhdon të jetë në diskutim, për shkak se protestat që sollën edhe anulimin e garës ë vitit të kaluar nuk kanë përfunduar ende.
Sheiku Abdullah bin Isa Al Khalifa, president i Federatës Automobilistike të Bahrein dhe një nga anëtarët e Këshillit të FIA-s, shpreson që këtë vit të mos ketë incidente, ndërsa ka pranuar se ka ende probleme me protestat e dhunshme në vendin e tij.
“Vazhdojnë ende të ketë shqetësime dhe ka të rinj të cilëve u duhet treguar rruga e duhur. Por është e sigurt që protestuesit nuk do të arrijnë objektivat e tyre duke shkatërruar jetët e të tjerëve. Ngjarjet e 14 shkurtit të vitit të kaluar i kanë trazuar më shumë gjërat por ne nuk kemi patur kurrë probleme gjatë garës së Formula 1 e cila zhvillohet në vendin tonë që prej vitit 2004”, tha ai.
Gara e vitit të kaluar u anulua për shkak të vdekjes së disa protestuesve anti-qeveritarë të cilët u përfshinë në përballje të dhunshme me policinë dhe forcat e armatosur. Grupet e rezistencës në Bahrein vazhdojnë të kenë përplasje të përditshme me policinë e cila gjatë jave të fundit është detyruar disa herë të përdorë gaz lotsjellës apo plumba gome për të shpërndarë turmat që i kanë sulmuar me bomba Molotov.
Megjithëse ekziston mundësia reale e një sulmi gjatë garës, Al-Khalifa ka bërë të qartë se nuk do të merret ndonjë masë e veçantë na krahasim me të kaluarën. “Mund t’ju garantojë se këtu do të jeni të sigurt po aq sa në çdo garë tjetër. Nuk do të ketë asnjë roje sigurie më tepër se sa në të kaluarën. Jeta do të vazhdojë si normalisht”, ishte komenti i tij rreth kësaj çështje që vazhdon të shqetësojë organizatorët Formula 1 dhe sidomos pilotët, ku shumë prej tyre kanë marrë qëndrime të prera kundër zhvillimit të garës. (LajmeShqip.com)
Wednesday, 28 March 2012 09:42