Arsen Venger ka vendosur të ndërtojë një skuadër më të fortë në sezonin e ardhshëm, por për ta bërë këtë, i duhet më parë të largojë futbollistët që nuk hyjnë në planet e klubit, të cilët vetëm me rroga i kushtojnë klubit 23 milionë paund në vit.
Menaxhimi i rrogave të skuadrës do të jetë një prioritet, pasi Arsenali dëshiron të përmirësojë kontratat e disa prej futbollistëve më të mirë që ka, duke filluar nga Van Persi, për të vazhduar me Song dhe Oksleid-Çambërlein.
Andrei Arshavin, i cili paguhet 75 mijë paund në javë, Maruan Çamak, që paguhet 60 mijë paund në javë dhe Sebastien Skuilaçi, Nicklas Bendtner, Denilson dhe Karlos Vela, të cilët paguhen 50 mijë paund në javë, mund të largohen gjatë verës.
Edhe portieri rezervë, Manuel Almunia, kontrata e të cilit prej 60 mijë paund në javë përfundon këtë verë, pritet të largohet nga “topçinjtë”.
Vendimi është marrë pasi është parë se shpenzimet e klubit janë rritur me 20 milionë paund gjatë vitit të fundit pavarësisht shitjeve të Samir Nasri, Çesk Fabregas e Gael Klishi gjatë verës, tre prej lojtarëve më të paguar në radhët e ekipit londinez.
Në vend të të larguarave, Venger ka ndërtuar edhe një listë të gjatë me lojtarë që do të dëshironte të afronte gjatë verës për të ndërtuar ekipin që pritet të luftojë për trofe në sezonin e ardhshëm. (LajmeShqip.com)
Wednesday, 28 March 2012 08:04