Oklahoma ka marrë fitoren e katërt radhazi duke konfirmuar formën e mirë që po kalon kur ka mbetur më pak se një muaj nga sezoni i rregullt. Kryesuesit e Konferencës së Perëndimit kanë regjistruar një sukses të rëndësishëm 109-95 ndaj Portland, duke treguar gjithë forcën e tyre ofensive me treshen Uestbruk (35 pikë, 8 pasime), Durant (25 pikë) dhe Harden (21 pikë) që kanë siguruar që në gjysmën e parë të ndeshjes një diferencë të ndjeshme ndaj kundërshtarëve që janë në proces rindërtimi këtë sezon. Për Oklahoman, 5 ndeshjet e ardhshme janë prova e vërtetë e ambicieve të skuadrës, pasi luajnë me radhë ndaj LA Leikërs, Çikago, Memfis, Majemi dhe Indiana.
San Antonio vazhdon të çuditë me qëndrueshmërinë e këtij sezoni, ndërsa është e vetmja skuadër që mund të ulë Oklahoman nga froni i Konferencës së Perëndimit. Teksanët kanë fituar ndeshjen e pestë radhazi, duke mundur Feniks me rezultatin 107-100 falë një lojë të jashtëzakonshme të Tim Dankan ku ai ka treguar se vazhdon të jetë vendimtar me 26 pikë e 11 topa në tabelë. San Antonio mbetet 3 ndeshje pas Oklahomas në garën e Konferencës së Perëndimit dhe mund të përfitojë nga axhenda e rënduar e tyre për t’u rrëmbyer kreun.
Edhe LA Leikërs kanë marrë një sukses të rëndësishëm 104-101 ndaj Golden Steit, falë kontributit të Kobi Brajant i cili ka regjistruar 30 pikë, 5 pasime dhe 5 topa në tabelë. Ylli i kalifornianëve duket se po kthehet në formën e tij më të mirë dhe po mban skuadrën në vendin e tretë në Konferencën e Perëndimit. (LajmeShqip.com)
Rezultatet
Kliveland-Filadelfia 85-103
Minesota-Memfis 86-93
Atlanta-Miluoki 101-108
Hjuston-Dallas 81-90
Oklahoma-Portland 109-95
San Antonio-Feniks 107-100
LA Leikërs-G. Steit 104-101
Wednesday, 28 March 2012 08:03