Interi ka bërë sot prezantimin zyrtar të trajnerit të ri, Andrea Stramaçioni, i cili në konferencën e tij të parë për shtyp ka treguar emocionet për këtë emërim.
“Morati më ka dhuruar një ëndërr, do të bëj maksimumin për të nderuar këtë rast që më jepet. Është krenari të drejtosh këta kampionë, kam gjetur në dhomat e zhveshjes një profesionalizëm të jashtëzakonshëm. Di që drejtoj kampionë të ndryshëm nga ekipi i të rinjve. Murinjo do të mbetet një mit, pasi unë jam një trajner i ri dhe ai është një prej më të mëdhenjve, por sinqerisht që nuk me vjen ndër mend ajo që ka bërë ai këtu, nuk ka krahasim me atë që do të bëj unë”.
“Presidenti më ka kërkuar që të sjell në ekip të njëjtin entuziazëm që ka parë te të rinjtë dhe ekziston dëshira që të ngjitim sa më lart ngjyrat zikaltër. Zaneti ishte i karikuar në maksimum si një lojtar i të rinjve, unë dua të shoh në fushë ata që janë të rinj brenda tyre, si kapiteni”, ishin fjalët e teknikut, i cili para se të prezantohej zyrtarisht ka patur një takim me kapitenin.
Ndërkohë, mediat italiane kanë interpretuar me humor faktin se kapiteni tashmë është më i vjetër në moshe se trajneri dhe për këtë arsye Stramaçioni ishte i detyuar të merrte këshilla nga “më të vjetërit”.
Një skene që ka çuditur shumë të pranishëm ka qenë vizita surprizë e Mario Balotelit, ish-sulmuesit të Interit, i cili ka ndërprerë në mes konferencën për shtyp të prezantimit të Stramaçionit për të përshëndetur trajnerin e ri të kësaj skuadre. Sipas mediave italiane, ai ka bërë thjesht një vizitë kortezie pasi ka patur ditën pushim nga Mançester Siti.
Në fund të ditës, nuk mund të mungonte një deklaratë e Moratit, i cili nëpërmjet “Sky Sport 24” ka uruar trajnerin e ri, por ka gjetur edhe fajtorin e sezonit të dështuar të zikaltërve.
“Stramaçioni ka talent. Në të ardhmen mund të ndodhë gjithçka, shpresoj që të jetë një alternativë e vlefshme. Nëse i fiton të gjitha e konfirmoj. Bielsa është një trajner që të argëton, si Zeman e Montela, por unë flas mirë për të gjithë. Nuk jam i kënaqur nga Gasperini, mendoj se përgjegjësitë kryesore për këtë sezon janë të tijat. Ranieri? Ai është një xhentëlmen, do të dëshironte të qëndronte në këtë klub”, ishin fjalët e presidentit zikaltër. (LajmeShqip.com)
Tuesday, 27 March 2012 19:49