Klubi i Korinthians ka bërë të ditur se nuk do të paguajë asgjë për prishjen para kohe të kontratës me Adrianon, pasi ky i fundit është “shkarkuar nga puna me të drejtë”.
Sipas klubit brazilian, futbollisti ka regjistruar 67 mungesa brenda një viti, duke mos marrë pjesë në seancat stërvitore apo ato të riaftësimit për dëmtimin në tendinën e Akilit.
Klubi e kishte gjobitur shpesh për këtë arsye, ndërsa lojtari nuk jepte asnjëherë shpjegim pse nuk paraqitej në këto seanca, thjesht duke lajmëruar për mungesën me telefon apo SMS. Sipas Korinthians, edhe kur shfaqej në stërvitje, nuk është se stërvitej gjithmonë.
Drejtuesit e kësaj skuadre kanë treguar për mediat braziliane se lojtari shumë shpesh ishte shfaqur i dehur në stërvitje, ndaj ishte dërguar në shtëpi. Kjo kishte qenë ajo që kishte sjellë edhe shkarkimin e tij nga klubi, pasi ishte shfaqur i dehur në stërvite për tre ditë radhazi.
Ndërkohë, lojtari nuk shqetësohet nga këto zëra dhe vazhdon t’i shkelë syrin skuadrës së Flamengos, ku luan shoku i tij Ronaldinjo.
“Të ishte për mua, nuk do të isha larguar asnjëherë. Është shtëpia ime dhe do të dëshiroja të kthehesha, por është ende herët për të folur”, deklaroi ai.
Adriano ka qenë pjesë e Flamengos në vitin 2010, duke shënuar 19 gola për t’i dhënë titullin kampion në Brazil. (LajmeShqip.com)
Tuesday, 27 March 2012 14:15