Fitorja 1-0 ndaj Fullhemit i ka dhënë kreun e renditjes Mançester Junajtid dhe rritjen e diferencës ndaj Mançester Sitit në 3 pikë, por trajneri Ferguson ka pranuar se skuadra e tij ka qenë me fat.
Sipas tij, gjyqtari i ndeshjes duhej të kishte dhënë një penallti për miqtë në minutat e fundit kur Majkëll Kerrik rrëzoi në zonë Deni Mërfin
“Po, Majkëll e goditi thembrën e lojtarit të tyre dhe ata kërkuan me të drejtë penallti. Por gjyqtari gaboi edhe në pjesën e pare kur nuk dha penallti për ne për prekje topi me dorë. Ndoshta në atë moment po mendonte për rastin tonë”.
“Fullhem e mbylli ndeshjen në sulm dhe na zuri disa herë në kundërsulm. Ne filluam t’i dhuronim topin dhe ishte zhgënjyese që nuk e mbyllëm ndeshjen. Por luajtëm shumë mirë futboll për 60 minuta dhe është një fitore e mirë për ne”.
“Gjatë viteve nuk e di se sa herë e kam thënë që 1-0 është rezultat i mirë. Ai do të thotë se jemi në formë për titull”, përfundoi Ferguson. (LajmeShqip.com)
Tuesday, 27 March 2012 13:08