Edin Xheko do t’i japë lamtumirën Mançester Sitit në fundin e këtij sezoni pasi klubi ka lënë të kuptohet se ai është në shitje dhe të interesuarit duhet të bëjë oferta për boshnjakun.
Trajneri Roberto Mançini ka vënë re pakënaqësinë e lojtarit me faktin se nuk po gjen hapësira në formacion, të cilat së shpejti do të bëhen më të pakta për shkak të strategjive të merkatos së kësaj skuadre.
Real Madrid dhe Juventus janë të interesuara për boshnjakun, pasi Zhoze Murinjo mendon se ai do të ishte një forcë më shumë në repartin e avancuar të madrilenëve, ndërsa bardhezinjtë duan një futbollist me karakteristikat e Zlatan Ibrahimoviç për të kundërshtuar superioritetin teknik të Milanit.
Duket se fati i Xhekos është i lidhur ngushtë me atë të Higuain. Ky i fundit mund të largohet nga Reali për t’i bërë vend 26 vjeçarit, duke shkuar pikërisht te Siti.
Nëse kjo rokadë nuk realizohet, Juventus do të ishte i pari në garë për të siguruar një nga dy sulmuesit, pasi ka një buxhet merkatoje prej rreth 40 milionë euro, ku pjesën më të madhe do ta shpenzojë për të përforcuar pikërisht repartin e avancuar. (LajmeShqip.com)
Tuesday, 27 March 2012 10:20