Gazeta britanike “The Sun” ka publikuar lajmin e bujshëm se Edinson Kavani është shumë pranë kalimit te Çelsi, pasi menaxherët e tij janë takuar me klubin anglez në Londër për transferimin e mundshëm në verë.
Ndeshjet e Ligës së Kampioneve mes Napolit dhe Çelsit kanë bindur Roman Abramoviç se Kavani është personi i duhur për të zëvendësuar Didier Drogba dhe për këtë arsye ai është gati që të shpenzojë 30 milionë euro që nevojiten për të blerë uruguaianin.
Vetëm dy ditë më parë, presidenti i Napolit, De Laurentis, hodhi poshtë mundësinë e largimit të Kavanit, por përballë një oferte prej 30 milionë eurosh, edhe ai do të mendohet dy herë.
Por Çelsi nuk ndalet këtu, pasi bashkë me Kavanin kërkon nga ekipi italian edhe mbrojtësin argjentinas Kampanjaro, i cili ka shkëlqyer kohët e fundit me fanellën e kësaj skuadre. Ndonëse 31 vjeçar, ai shihet si një alternativë e mirë për ekipin që ka nevojë të jetë i mbuluar në prapavijë për shkak të problemeve të vazhdueshme fizike të mbrojtësve titullarë.
Po sipas mediave britanike, edhe kërkimi i trajnerit të ardhshëm të londinezëve është përqendruar në Itali, ku nuk hidhe poshtë mundësia e kontaktimit të Fabio Kapelos. Ky i fundit ka mbështetjen e lojtarëve të kombëtares si Terri, Lampard, Kahill e Kol, të cilët po insistojnë për afrimin e tij në stolin e bluve. (LajmeShqip.com)
Sunday, 25 March 2012 12:19