Gazeta më e vjetër sportive në Shqipëri ‘Sporti Shqiptar’ nuk ka dalë sot në treg. Ajo botohej pa ndërprerje që prej vitit 1937. 
Gazetarët thonë se kanë protestuar për shkak se kishin disa muaj që nuk merrnin pagat, por janë pushuar nga puna.
Ende nuk ka asnjë qëndrim zyrtar nga botuesit e gazetës. Po ashtu lajmi vjen pak ditë pas turbullirave në gazetën Shekulli, prej nga u largua kryeredaktori Adrian Thano. Nuk dihet nëse Sporti Shqiptar do të vijojë në vazhdim të dalë në treg.
Një nga grupet mediatike më të njohura në vendin tonë, në pronësi të Koço Kokëdhimës, po lëngon.
Para pak kohësh ishte vetë Kokëdhima që tregoi se si është masakruar biznesi i tij me goditje të përqendruar nga kryeministri Sali Berisha. Kokëdhima ka qenë shpeshherë i sulmuar nga Berisha që kur ai ishte në opozitë.
Si pasojë e këtij sulmi kemi sot dy lajme të këqija, që gazetarët nuk paguhen prej kohësh dhe që një grup mediatik i rëndësishëm, në opozitë me qeverinë, është në pikë të hallit.
Ndërkohë në treg mbijetojnë për bukuri gazeta pa pikë vlere dhe rëndësie për lexuesin vetëm falë faktit se botuesit e tyre janë pranë qeverisë.
Saturday, 24 March 2012 20:15