Trajneri i Arsenalit, Arsen Venger, ka bërë të qartë se do të synojë cilësinë gjatë merkatos së verës dhe do të bëjë maksimumin për të afruar lojtarë sa më cilësorë për përforcimin e skuadrës së tij.
Emri i parë është ai i gjermanit Lukas Podolski, i cili sipas mediave të ndryshme ka kryer edhe vizitat mjekësore me stafin e Arsenal dhe gjatë javës së ardhshme do të firmosë kontratën e tij të re.
“Nuk do të ndërhyjmë në merkato për të blerë shumë lojtarë. Do të përqendrohemi vetëm te cilësia dhe do të rrezikojmë pak më shumë nëse gjejmë cilësi më të lartë. Aktualisht, skuadra ka mjaftueshëm lojtarë, pa harruar këtu që do të kthehen Diabi dhe Uilshair që kanë munguar gjatë të gjithë sezonit për dëmtime”.
Trajneri nuk ka preferuar të flasë me emra të përveçëm, duke mos konfirmuar blerjen e Podolskit, por duke sqaruar që nuk do të bënte gabimet e sezonit të kaluar kur blerjet u bënë në minutat e fundit para mbylljes së merkatos.
“Nuk është arritur ende asnjë akord. Por do t’i bëjmë gjërat më shpejt se vitin e kaluar kur ishte e tmerrshme pas përfunduam në orën 23.55 të 31 gushtit”.
“Vendi i tretë është më i mirë se vendi i katërt por nëse nuk ke mundësi të zgjedhësh, vendi i katërt është shumë i mirë. Mendoj se në garë është edhe Njukasëll, ashtu si Çelsi e Totenhem. Liverpuli është larg, por në futboll nuk i dihet kurrë”, tregoi ai duke folur për luftën për vendin e tretë në renditje dhe për zonën Champions. (LajmeShqip.com)
Saturday, 24 March 2012 09:32