Reali i Madridit do të ketë një skuadër të përgjysmuar për ndeshjen kundër Real Sociedad këtë të shtunë. Shkak janë bërë dënimet e dhëna nga Komisioni i Disiplinës në Federatën Spanjolle, i cili ka shqyrtuar ngjarjet e ndeshjes me Vijareal.
Mbrojtësi Pepe do të mungojë për dy javë, pasi është pezulluar për shkak të fyerjeve që i ka bërë gjyqtarit pas përfundimit të ndeshjes. Ndonëse Pepe ka fyer vazhdimisht gjyqtarin, veprimi i tij është quajtur si shenjë proteste dhe jo fyerje direkte.
Për këtë arsye, ai ka marrë dy javë “pushime”, ndërsa në rast se do të shihej si fyerje, do të pezullohej minimumi katër javë. Ndërkohë, Mesut Ozil do të shërbejë vetëm një ndeshje pezullim, për kartonin e kuq të marrë gjatë ndeshjes.
Edhe Zhoze Murinjo nuk do të jetë në pankinë, për shkak të kartonit të kuq të marrë në këtë takim shumë të tensionuar. Në tribunë ai do të ketë afër asistentin e tij, Rui Faria, i cili është dënuar me dy ndeshje. Për grumbullim kartonësh të verdhë, në fundjavë do të mungojë edhe mesfushori Lasana Diarra.
Një vendim që ka shkaktuar polemika ka qenë ai i heqjes së kartonit të parë të verdhë të Serxho Ramos. Sipas raportit të Komisionit të Disiplinës, gjyqtari ka plotësuar gabim protokollin e ndeshjes e si rrjedhojë ai karton quhet i pavlefshëm. Në këtë mënyrë, mbrojtësi i Realit do të ketë mundësinë të luajë në takimin kundër Real Sociedad këtë fundjavë.
Ndonëse vendimet e Disiplinës nuk kanë qenë aq të ashpra sa priteshin, madrilenët kanë vendosur t’i apelojnë pasi mendojnë se Ozil dhe Rui Faria janë dënuar pa të drejtë me karton të kuq. (LajmeShqip.com)
Friday, 23 March 2012 20:16