Hristo Stoiçkov, ish-futbollisti legjendar i Bullgarisë, tashmë trajner te Liteks Loveç, akuzohet se ka kërcënuar dhe fyer një gjyqtar në telefon pas fitores së skuadrës së tij ndaj Slavia Sofjes në kampionatin bullgar.
Bogomil Marinov ka bërë të ditur se ka bërë kallëzim penal ndaj ish-lojtarit të Barcelonës, i cili e telefonoi tre ditë pas ndeshjes.
“Ai më telefonoi të martën në darkë, u prezantua dhe filloi të më fyente dhe të më kërcënonte”, tregoi Marinov për Shoqatën e Gjyqtarëve Bullgarë. “Ai më tha se kjo kishte qenë ndeshja ime e fundit si gjyqtar”.
Marinov, i cili bëri të ditur se nuk do të drejtonte më në nivel profesional, ndëshkoi me karton të kuq sulmuesin e Liteks, Marcelo Nikasio, në fillimin e pjesës së dytë pas një kontakti të lehtë me mbrojtësin e Slavias, Daniel Zlatkov.
Stoiçkov, i cili është shquar për agresivitet edhe në vitet kur shkëlqente në fushën e lojës me fanellën e Barcelonës, refuzoi të komentonte këtë telefonatë.
“Nuk kam komente për akuza të pabaza. Mund të them vetëm se që në momentin kur kam marrë drejtimin e Liteks, po shfaqem më tolerant ndaj gjyqtarëve se sa kam qenë kur luaja futboll vetë”. (LajmeShqip.com)
Friday, 23 March 2012 19:31