Roman Abramoviç po bëhet gati t’i dorëzojë Pep Guardiolës një ofertë të parefuzuesme prej 40 milion paund bruto për katër vitet e ardhshme, për ta bindur atë që të bëhet trajneri i londinezëve.
Sipas gazetës “The Sun”, miliarderi rus nuk heq dorë nga ideja për të afruar trajnerin më të mirë në qarkullim dhe kjo është arsyeja pse ka vendosur që ta bëjë atë teknikun më të paguar në botë nëse pranon.
Kontrata ekzistuese e spanjollit me Barcelonën përfundon këtë sezon dhe Abramoviç ka bërë të qartë se nuk të heqë dorë nga dëshira e tij derisa Guardiola të flasë qartë për të ardhmen e tij. Ai aktualisht përfiton rreth 8 milionë paund në vit (përfshirë taksat) të Barcelona, ndaj oferta që i ka bërë Abramoviç do të dyfishonte fitimet e tij për katër vitet e ardhshme.
Ish-trajneri i shkarkuar, Andre Vijas Boas, paguhej rreth 4.5 milion paund në vit nga Çelsi, ndërsa londinezët paguan edhe 13 milion paund të tjera që të prishnin kontratën e tij ekzistuese me Porton për ta marrë në verë.
Po t’i shtohet kësaj shume edhe shifra e 9 milion paund që Abramoviç pagoi për prishjen para kohe të kontratës me portugezin, do të thotë se miliarderi rus ka shpenzuar më shumë se 2 miliard paund që nga momenti kur mori drejtimin e klubit londinez 9 vite më parë.
Nëse ai bind Guardiolën të bëhet trajneri i 8-të nën drejtimin e tij, Abramoviç do të ketë shpenzuar thuajse 150 milionë paund vetëm për rrogat dhe kompensimet e trajnerëve.
Trajnerët e tjerë të cilët kanë përfituar shuma të konsiderueshme përveç AVB te Çelsi gjatë kësaj periudhe janë Klaudio Ranieri, Zhoze Murinjo, Avram Grant, Luis Felipe Skolari, Gus Hidink dhe Karlo Ançeloti. (LajmeShqip.com)
Friday, 23 March 2012 09:33