Uejn Runi i ka kërkuar falje një tifozi 9 vjeçar të Mançester Junajtid pasi sulmuesi i theu pa dashje kyçin e dorës fëmijës së vogël që ishte ulur në tribunën pas portës me një gjuajtje të fortë gjatë nxemjes para fitores 5-0 ndaj Ulvërhempton.
Runi po bënte nxemje para fillimit të takimit dhe një nga gjuajtjet e tij përfunduan në tribunë duke goditu Xhemi Tomas në kyç, ndërsa ai po mundohej të bllokonte topin.
Tomas arriti të shihte pjesën e parë të ndeshjes por më pas u dërgua te zona e ndihmës së shpejtë të stadiumit pasi dora iu ënjt gjatë pushimit të ndeshjes. Doktorët e dërguan atë në spital ku iu vu dora në allci pas kishte pësuar thyerje të kyçit.
Runi nuk e kuptoi çfarë kishte ndodhur në ato momente, por ai përdori faqen e tij të Twitter për t’i kërkuar falje këtij tifozi dhe për t’i premtuar dërgimin e një fanelle të personalizuar.
“Dua t’i kërkoj falje Xhemi Tomas. Unë kam rregulluar që t’i dërgohen në shtëpi sa më shpejt një letër e imja dhe një fanellë me autograf”.
Tifozi 9 vjeçar po shihte për herë të parë idhujt e tij të Mançester Junajtid në stadium, por ky incident i vogël nuk do ta ndalojë atë të shohë përsëri “djajtë e kuq” në të ardhmen. (LajmeShqip.com)
Thursday, 22 March 2012 22:02