Fati i keq nuk po i ndahet Filipo Inzagit, në sezonin ku ai përfundimisht mund të ngrejë flamurin e bardhë dhe t’i japë lamtumirën futbollit të luajtur.
SuperPipo, në fushë kundër Juvenusit, ka treguar qartë se nuk është më futbollisti nga i cili dridhej çdo mbrojtës në botë, falë problemeve fizike që e kanë shfaqur jashtë forme.
Por tani ka ardhur edhe goditja e rëndë nga e cila mund të vendoset edhe e ardhmja e tij.
“AC Milan komunikon se në ndeshjen e Kupës TIM kundër Juventus, Filipo Inzagi ka pësuar një dëmtim muskulor në bicepsin femural të kofshës së djathtë. Prognoza është 2-3 javë, nëse nuk ka komplikime”. Kjo është deklarata e lëshuar nga Milani që tregon me pak fjalë se lojtar do të jetë i detyruar të qëndrojë një tjetër muaj pushim. Rikthimi i mundshëm është në fund të prillit, atëherë kur do të kenë mbetur shumë pak javë nga fundi i kampionatit.
Sezoni i Inzagit ka qenë shumë i vështirë. Falë raportit aspak të mirë me trajnerin Alegri ai ka koleksionuar vetëm 6 ndeshje në kampionat, asnjë si titullar, me në total rreth 40 minuta të luajtura. Shifra shumë të ulëta për një sulmues i cili në Serinë A ka shënuar 155 gola në 369 ndeshje.
Mediat italiane janë thuajse të sigurta se lojtari tashmë mund të vendosë të lërë futbollin pas një karriere të gjatë e shumë të lumtur, mundësisht me një tjetër trofe të fituar, duke luajtur ndeshjen e fundit si kampion i saposhpallur i Italisë me Milanin e tij. (LajmeShqip.com)
Thursday, 22 March 2012 21:03