Real Madrid dhe qeveria e Ras Al Khaimah prezantuan në stadiumin “Santiago Bernabeu” projektin “Real Madrid Resort Island”, një kompleks turistik dhe park tematik që do të mbajë stemën e klubit madrilen dhe do të ndërtohet së shpejti në Emiratet e Bashkuara Arabe.
Kompleksi do të ndërtohet në ishullin Al Marjan, në Emiratet e Bashkuara dhe inaugurimi i tij është parashikuar për muajin janar të vitit 2015.
Ai do të përfshijë një park tematik, një hotel me 5 yje që përfshin 450 banesa, 60 kabina VIP me akses në plazhe private, 400 apartamente, një muze të Real Madrid, një port sportiv dhe stadiumin e pare të futbollit që ka kapacitet 10 mijë spektatorë me një krah të hapur drejt ujit.
Në prezantimin e projektit që do të kushtojë rreth 1 miliardë dollarë, ishte i pranishëm presidenti i madrilenëve, Florentino Perez i shoqëruar nga Khater Masad, përfaqësuesi i qeverisë të Emirateve të Bashkuara Arabe.
Në ceremoni morën pjesë gjithashtu dhe Zhoze Murinjo, Kazijas, Ramos, Benzema, Miguel Pardeza, Emilio Butragenjo dhe Zinedin Zidan. (LajmeShqip.com)
Thursday, 22 March 2012 19:13