Diego Milito ka treguar se Zhoze Murinjo është trajneri më i mirë me të cilin ka punuar gjatë të gjithë karrierës së tij.
Sulmuesi 32 vjeçar u kërkua me ngulm nga tekniku aktual i Real Madrid, i cili insistoi për blerjen e tij nga Xhenoa para sezonit 2009-2010, ndërsa në sezonin në vijim ndihmoi Interin të fitonte Serinë A, Kupën e Italisë dhe Ligën e Kampioneve.
“Murinjo është trajneri më i mirë me të cilin kam punuar, ai më ka dhënë mua kujtimet më të jashtëzakonshme”, tha argjentinasi për “Corriere Dello Sport”. Nëse portugezi nuk do të kthehet më në radhët e zikaltërve, Marcelo Bielsa do të ishte një zëvendësues mëse i denjë për pankinën e kësaj skuadre.
“Duke patur parasysh që çdo trajner ka metodat e veta, Murinjo dhe Bielsa janë të ngjashëm në mënyrën se si mbajnë të bashkuar grupin dhe mbrojnë skuadrën. Bielsa është një trajner i madh dhe e ka provuar këtë kudo që ka qenë. Jam i lumtur për të pasi i meriton të gjitha sukseset që po arrin”, ishin falët e Militos.
Sulmuesi pritet të zbresë në fushë ndaj Juventusit këtë të dielë në një ndeshje që në rast fitoreje, mund të kthejë pak gëzim te një skuadër që po kalon një moment aspak të lumtur. Për më tepër, Milito kërkon të arrijë një objektiv personal ndaj Juves, pasi nuk i ka shënuar asnjëherë “Zonjës së Vjetër”.
“Të fitojmë kundër Juventus? Jemi të gjithë të motivuar për ta bërë një gjë të tillë. Do të ishte një shtysë e rëndësishme morali nëse arrijmë ta bëjmë një gjë të tillë. Nuk kam shënuar kurrë kundër Juventusit dhe do të bëj të pamundurën për të ndalur këtë seri në ndeshjen e të dielës”. (LajmeShqip.com)
Thursday, 22 March 2012 15:51