Çikago është hakmarrë për humbjen e pësuar pak ditë më parë në shtëpi përballë Orlandos duke fituar në fushën e kësaj të fundit dhe për më tepër duke turpëruar ekipin e Duajt Hauard. Për shkak të mungesës së Derrik Rouz, kryesuesit e Konferencës së Lindjes, po gjejnë mënyra të tjera si të fitojnë ndeshjet dhe këtë radhë i kanë besuar krejtësisht mbrojtjes. Rezultati ka qenë një fitore bindëse 85-59, ku Orlando ka gabuar në mënyrë sistematike edhe gjuajtjet më të thjeshta, si dhe i ka duruar topin kundërshtarëve. Karlos Buzër ishte lojtari më i mirë i Çikagos në këtë ndeshje me 24 pikë e 13 topa në tabelë, duke qenë forca kryesore ofensive e kësaj skuadre. Për t’u shënuar edhe rekordi i ri i vendosur nga trajneri i Çikagos, Tom Tibodo, i cili është tekniku më i shpejtë që arrin numrin 100 të fitoreve në karrierë, të realizuar në vetëm 130 ndeshje.
Një tjetër fitore e rëndësishme jashtë fushës ka qenë ajo 79-76 e Boston ndaj Atlantas. Ish-kampionët e NBA kanë arritur të triumfojnë vetëm falë një loje të jashtëzakonshme në periodën e katërt, të udhëhequr nga Rei Alen (19 pikë) me gjuajtjet e tij për 3 pikë. Nga ana tjetër, Xho Xhonson me 25 pikë e 6 topa në tabelë ishte faktori më i rëndësishëm ofensiv i Atlantas, që vazhdon të jetë një prej skuadrave më të kompletuara në NBA por që kohët e fundit ka patur probleme me dëmtimet e lojtarëve. (LajmeShqip.com)
Rezultatet
Filadelfia-Sharlot 105-80
Kliveland-Nju Xhersi 105-100
Boston-Atlanta 79-76
Çikago-Orlando 85-59
Minesota-Golden Steit 97-93
Dallas-Denver 112-95
Tuesday, 20 March 2012 09:05