Deliret diktatoriale nuk kanë fund! Çmenduria e fundit është pretendimi i një televizioni shtetëror sirian, sipas të cilit Barcelona, aktualisht skuadra më e mirë në botë, po ndihmon rebelët duke kontrabanduar armë për të luftuar kundër forcave besnike të presidentit Bashar Al Asad.
Në një lajm të publikuar nga Ynetnews.com dhe më pas të shpërndarë nga thuaje të gjitha mediat më të njohura sportive evropiane, tregohet një pjesë e lajmeve të publikuara në muajin dhjetor nga Al Dunya TV.
Pamjet janë marrë nga ndeshja Barcelona-Real Madrid dhe sipas personit që lexon lajmin, formacioni i Barcelonës përfaqëson rrugën për kontrabandën e armëve të rebelëve sirianë. Lojtarët përfaqësojnë kontrabandistët ndërsa pozicioni i topit përfaqëson vendndodhjen aktuale të armëve.
Sipas spikerit, kur ylli i Barcelonës Lionel Mesi pason topin, ai do të tregojë se armët kanë mbërritur te rebelët në Dir al-Zur.
Klipi, i postuar në YouTube, ka që tani mbi 200 mijë shikues, ku pjesa më e madhe e tyre ironizojnë budallallëkun e këtij televizioni. Për më tepër, kjo nuk është hera e parë kur televizionet siriane pretendojnë se një ngjarje sportive është komplot për të zbritur Asad nga pushteti. Al Dunya TV ka akuzuar më parë një gazetar të Al Jazeera se po bënte thirrje kundër Asad gjatë ndeshjes së futbollit mes Sirisë dhe Bahreinit. (LajmeShqip.com)
Monday, 19 March 2012 11:20